Studentët e Universitetit të Zug-ut nga Zvicra kanë përmbyllur me sukses vizitën e tyre studimore njëjavore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ), e cila u realizua në kuadër të marrëveshjes zyrtare të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve arsimore.
Aktiviteti filloi me pritjen zyrtare nga u.d. Rektorja e UKZ-së, Fitore Malaj, ku u diskutua mbi rëndësinë e partneritetit ndërinstitucional, shkëmbimet studentore dhe mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, studentët zviceranë, të shoqëruar nga kolegët e tyre nga UKZ-ja, morën pjesë në prezantime dhe diskutime mbi sistemet arsimore, si dhe zhvilluan vizita në shkolla fillore publike e private në Gjilan për të parë nga afër procesin mësimor dhe praktikat e mësimdhënies.
Programi përfshiu gjithashtu një vizitë njoftuese në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, si dhe udhëtime kulturore e historike në Prekaz, Pejë, Drinin e Bardhë dhe Prizren.
Vizita u përmbyll me një sesion reflektimi ku studentët e të dy universiteteve ndanë përvojat e tyre, ndërsa mysafirët zviceranë vlerësuan lart mikpritjen, kulturën dhe mundësinë për njohjen e sistemit arsimor në Kosovë.
