ARSIM/Gjimnazi “Zenel Hajdini” pranon donacion të ri teknologjik nga Zvicra

Drejtuesit dhe stafi mësimor i gjimnazit shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan kanë pritur në një vizitë të veçantë bashkatdhetarin Agon Behluli, i cili prej një dekade është një mbështetës i vazhdueshëm i këtij institucioni arsimor.

​I lindur dhe i rritur në Zvicër, ku punon si menaxher i resurseve në një gjimnaz kantonal në Cyrih, Behluli ka dhënë një kontribut të çmuar ndër vite për përmirësimin e kushteve të mësimnxënies.

Ndihma e tij 10-vjeçare ka përfshirë furnizimin e shkollës me banka, karrige, projektorë dhe mjete të tjera didaktike.

​Në këtë vizitë të radhës, Behluli ka dhuruar një tjetër donacion të rëndësishëm teknologjik, i cili përfshin kompjuterë të modeleve të fundit, printerë dhe pajisje të tjera të nevojshme për modernizimin e kabineteve mësimore.

​Drejtori i gjimnazit, Ilir Vokshi, ka shprehur mirënjohjen e thellë në emër të shkollës dhe nxënësve, duke e vlerësuar kontributin e Behlulit si një investim direkt në dijen dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.

Shpërndaj me të tjerët