Nga fushat e Gjermanisë deri te fanella dardanisht: Rrugëtimi i talentit nga Gjilani që po shkëlqen me gola e asistime.
Ndonëse i lindur në Gjilan në vitin 2012, Real Jahiu hapat e parë të futbollit i bëri në Gjermani, ku familja e tij emigroi në vitin 2014.
Që në moshën 6-vjeçare te Reinickendorfer Füchse në Berlin, Reali spikati si sulmues premtues, duke u shpallur disa herë lojtari dhe golashënuesi më i mirë në turnetë e moshave.
Formimi i tij vazhdoi te akademia e njohur Tennis Borussia Berlin, ndërsa talenti i tij nuk i shpëtoi as Federatës së Futbollit të Berlinit (BFV), ku për dy vite me radhë ishte pjesë e Përfaqësueses së Berlinit U15 (Berliner Auswahl). Sezonin 2025/2026 e mbylli si golashënuesi më i mirë i ligës U14 në Berlin, ku realizoi 25 gola dhe 13 asistime.
Në korrik të vitit 2026, familja Jahiu u rikthye përfundimisht në Gjilan.
Reali veshi bluzën e shkollës së futbollit FC Drita dhe u bë pjesë e Ekipit të Regjionit të Gjilanit, ku vazhdoi formën e tij shpërthyese duke shënuar 31 gola në vetëm 11 ndeshje zyrtare.
Këtyre paraqitjeve fantastike u erdhi edhe vula zyrtare: më 27 shtator 2026, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Nallbani, i dërgoi ftesë Real Jahiut për t’u bërë pjesë e grumbullimeve të përfaqësueses dardaniane./dita24h /
