Shtohen 30 grante të reja për ndërmarrësit. Më 15 tetor mbahet sesioni informues në Bibliotekën “Fan S. Noli”.
Sot është nënshkruar Aneksi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe organizatës Help – Hilfe zur Selbsthilfe, në kuadër të projektit “Punë dhe Aftësi për Parandalimin e Migrimit në Kosovë”, i financuar nga Zyra Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).
Përmes këtij aneksi, numri i përfituesve rritet nga 35 në 65 biznese, duke u shtuar edhe 30 grante të reja për ndërmarrësit e rinj dhe bizneset ekzistuese në Gjilan.
Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 162,500 euro, ku çdo përfitues do të mbështetet me një vlerë mesatare prej 2,500 eurosh, përmes bashkëfinancimit nga organizata Help dhe Komuna e Gjilanit.
Programi synon zhvillimin e bizneseve, nxitjen e vetëpunësimit dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.
Drejtoria për Zhvillim Ekonomik njofton se më 15 tetor 2026, nga ora 10:00 deri në 11:00, do të organizojë një sesion informues në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan.
Ftohen të gjithë përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarët e interesuar të marrin pjesë për t’u njoftuar rreth kritereve, kushteve dhe mënyrës së aplikimit. dita24h /
