LOKALE/Pensionohet gjyqtari Agim Ademi, dekada kontribut për drejtësinë në Gjilan

Kolegët dhe stafi i Gjykatës Themelore në Gjilan e falënderuan për përkushtimin dhe punën e palodhshme në Departamentin e Krimeve të Rënda.

​Gjilan, 9 tetor 2026 – Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan, Agim Ademi, ka arritur moshën e pensionimit, duke përmbyllur kështu një karrierë të gjatë e të suksesshme në sistemin e drejtësisë.

​Me këtë rast, drejtuesit, kolegët gjyqtarë dhe stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Gjilan i kanë shprehur falënderimet më të ngrohta  Ademi për kontributin e tij të çmueshëm profesional, duke i uruar shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi në etapën e re të jetës.

​Agim Ademi ka shërbyer si gjyqtar dhe si shef i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan.

​Ai u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1986, ndërsa Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2002.

Praktikën e tij profesionale e zhvilloi në Odën e Avokatëve të Kosovës gjatë viteve 1990–1991.

Nga viti 1997 deri në vitin 2006, ai ushtroi edhe detyrën e Sekretarit në Fakultetin e Edukimit në Gjilan.

​Karrierën në gjyqësor e nisi zyrtarisht në vitin 2006, kur u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale të Gjilanit, ku shërbeu deri në vitin 2012.

​Më 1 janar 2013, Ademi mori detyrën e gjyqtarit në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, ndërsa nga nëntori i vitit 2015 u ngrit në detyrë si gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda, fushë ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm deri në ditën e pensionimit./ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët