EMERGJENCA/Gjilani dhe SHBA zhvillojnë ushtrim simulues për vërshimet

Ushtrimi i përbashkët u realizua online me pjesëmarrjen e institucioneve emergjente. Pala amerikane vlerësoi lart përgatitjen dhe shprehu gatishmërinë për vizita të ndërsjella pune.

​Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit (DMSH), në bashkëpunim me qytetin Sioux City nga shteti Iowa (SHBA), më 9 tetor 2026 ka realizuar me sukses ushtrimin e përbashkët simulues me temën “Vërshimet”. Ushtrimi u zhvillua përmes platformës online, me pjesëmarrje virtuale të përfaqësuesve të institucioneve kyçe të emergjencave.

​Në këtë simulim morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Drejtoria e Shërbimeve Publike (DSHP), Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS), Qendra Operative Rajonale 112 (AME), Policia e Kosovës, Njësia për Zjarrfikje dhe Shpëtim, si dhe Kryqi i Kuq – Dega në Gjilan. Në cilësinë e vëzhguesit mori pjesë edhe Shoqata e Pensionistëve të TMK, FSK & simpatizantëve “Elita”.

​Skenari i ushtrimit u mirëprit nga Komuna e Gjilanit. Në përputhje me Planin Operativ Emergjent, në rast të ndonjë fatkeqësie reale, Komuna aktivizon Qendrën Operative Emergjente për koordinimin dhe reagimin e shpejtë institucional.

​Ushtrimi u vlerësua lart nga përfaqësuesit e Qendrës Operative të Sioux City, SHBA, të cilët shprehën gatishmërinë dhe interesimin për organizimin e vizitave të ndërsjella të punës, me synim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

​Drejtori i DMSH-së, Enver Shabani, shprehu mirënjohjen e tij për qytetin Sioux City për kontributin e ofruar, duke theksuar se shkëmbimi i përvojave të tilla është mjaft i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e emergjencave civile dhe mbrojtjen e qytetarëve./dita24h /

Shpërndaj me të tjerët