AKTUALITET/Mbledhje e jashtëzakonshme për sigurinë në Gjilan

KKSB shqyrtoi situatën pas ngjarjeve të fundit tragjike. Kërkohet më shumë polici në shkolla dhe kontrolle kundër armëmbajtjes pa leje.

​Me kërkesë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, sot u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Takimi u thirr për të shqyrtuar situatën e sigurisë në qytet pas zhvillimeve të fundit.

​Në mbledhje morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, drejtori rajonal i Policisë, Agron Rukiqi, si dhe komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Besim Rexhepi, të cilët njoftuan të pranishmit mbi rrethanat e ngjarjeve tragjike.

​Gjatë takimit u kërkua ndërmarrja e masave të menjëhershme, ku u rekomandua rritja e kontrolleve policore për parandalimin dhe identifikimin e armëmbajtjes pa leje, si dhe shtimi i prezencës policore në shkolla me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor.

​Udhëheqësit komunalë dhe organet e rendit u zotuan për bashkëpunim të ngushtë, duke e cilësuar mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe fëmijëve si prioritet kryesor./ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët