Komuna e Gjilanit dhe organizata “The Foundation House” kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit institucional për promovimin e të drejtave të fëmijëve, sigurinë digjitale dhe përfshirjen aktive të tyre në vendimmarrje.
Përmes këtij partneriteti strategjik, synohet krijimi i hapësirave dhe mundësive të reja ku fëmijët dhe të rinjtë e Gjilanit do të mund të informohen, të shprehin idetë e tyre dhe të marrin një rol aktiv në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e gjithëpërfshirëse.
Ndaj këtij bashkëpunimi ka shprehur mirënjohje edhe udhëheqja e projektit për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme të treguar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan dhe drejtori i saj, Jeton Rexhepi, në avancimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Avancimi i të Drejtave të Fëmijëve përmes Inovacionit Digjital”, i cili zbatohet nga “The Foundation House” në partneritet me “Save the Children Kosova/o”.
Projekti financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Programit për Fuqizimin e Shoqërisë Civile për të Drejtat e Fëmijëve. / dita24h /
