Atë që nuk e bënë sulmuesit e Dritës, e bëri mbrojtësi i djathtë, Besnik Krasniqi, në minutën e parë të shtesës së fundit të ndeshjes.
Krasniqi, pasi depërtoi nga krahu i djathtë, u fut brenda zonës së 16-metrave dhe me një goditje të fortë e precize i siguroi skuadrës së tij një fitore të madhe si mysafir kundër Ballkanit.
Përballja e zhvilluar në Suharekë takoi javës së 9-të në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Drita sot shfaqi lojë më të mirë në të gjitha aspektet. Gjilanasit e qarkulluan më shumë topin, e mbizotëruan lojën dhe krijuan raste të mira për shënim, ku në një moment goditën edhe shtyllën.
Kjo fitore është mjaft e rëndësishme për gjilanasit, pasi kthen optimizmin dhe rrit ambiciet për vazhdimësinë e kampionatit.
Me këtë sukses, Drita ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 14 pikë të grumbulluara.
/ dita24h /
