Gjilani ka shënuar një fitore të lehtë dhe bindëse ndaj Drenicës me rezultat të thellë 3:0, në një ndeshje ku vendasit shfaqën dominim të plotë përgjatë të 90 minutave.
Skuadra gjilanase e kontrolloi lojën që nga fillimi, duke mos i lënë pothuajse asnjë hapësirë manovrimi ekipit mysafir.
Rruga drejt fitores u hap në minutën e 22-të, kur gjyqtari akordoi penallti për vendasit.
Përgjegjësinë e mori kapiteni Armend Thaqi, i cili u tregua i pagabueshëm nga pika e bardhë duke e kaluar Gjilanin në avantazh prej 1:0.
Pjesa e dytë solli të njëjtën dinamikë, me vendasit që kërkonin ta mbyllnin me kohë sfidën.
Në minutën e 65-të, Bilalli depërtoi me mrekulli nga krahu i djathtë dhe pasoni saktë te Zeka, i cili nga afërsia nuk e pati të vështirë ta mposhtte portierin mysafir për rezultatin 2:0.
Dominimi i Gjilanit u kurorëzua edhe me golin e tretë në minutën e 86-të.
Pas një depërtimi mjaft të mirë nga krahu i majtë të Arion Bllacës, goditja e tij nuk u kontrollua si duhet nga portieri i Drenicës, ndërsa topin e kthyer e shfrytëzoi përsëri Zeka për ta dërguar në rrjetë dhe për të vulosur fitoren përfundimtare 3:0.
Me këtë triumf mjaft të rëndësishëm, Gjilani arrin në kuotën e 14 pikëve dhe ngjitet në pozitën e tretë në tabelën e klasifikimit.
Vlen të theksohet se kjo fitore vjen në një moment delikat për klubin, pasi gjilanasit zbritën në fushë pa trajnerin Debatik Curri, me të cilin kishin shkëputur kontratën vetëm ditë më parë.
