LETËR PUBLIKE/Mungesa e kushteve për fëmijët me autizëm, profesoresha nga diaspora i shkruan Presidentes dhe Kryeministrit

Profesorja universitare nga Gjilani e cila ligjëron në Gjermani, Prof. Dr. Lindita Nebiu Hyseni, u ka drejtuar një letër të hapur Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës, përmes së cilës kërkon krijimin e institucioneve të specializuara dhe qendrave ditore publike për fëmijët me autizëm.

​Në letrën e saj, Nebiu Hyseni uron krerët e shtetit për formimin e institucioneve të reja dhe sqaron se iniciativa e saj buron nga përvoja personale si nënë e djalit të saj, Anelit, i cili është fëmija i vetëm dhe i prekur me autizëm.

Ajo bën të ditur se largimi i familjes së saj nga Kosova drejt Gjermanisë ka ardhur pikërisht si pasojë e mungesës së një kuadri të mirëfilltë ligjor dhe e një sistemi të organizuar institucional për trajtimin e kësaj kategorie.

​Sipas saj, si hap i parë e i menjëhershëm duhet të jetë themelimi i qendrave ditore publike pa pagesë në të gjithë vendin, ku fëmijët me autizëm do të merrnin terapi, edukim dhe përkujdesje profesionale.

Profesoresha thekson se ky sistem do t’u mundësonte prindërve të mos detyrohen të heqin dorë nga profesionet e tyre për t’u kujdesur për fëmijët.

​Autorja e letrës thekson se kjo kërkesë nuk bëhet vetëm për fëmijën e saj, por për të gjithë fëmijët me autizëm në Kosovë dhe familjet e tyre, me qëllim që të parandalohet largimi i mëtejmë i qytetarëve nga vendi për këtë shkak.

​Në përmbyllje të letrës, ajo shpreh shpresën se kërkesa e saj do të marrë një përgjigje zyrtare dhe se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin hapa konkretë drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Shpërndaj me të tjerët