GJILAN, 14 tetor 2026 – Nxënësit e klasës së XI-të të profilit Dizajn i Enterierit nga Shkolla e Mesme e Artit Pamor „Adem Kastrati” në Gjilan, kanë realizuar sot një vizitë mësimore në kompaninë për prodhimin e mobilieve „Hector Kuzhina”.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit u pritën nga pronari i kompanisë, Ilir Korça, inxhinier i ndërtimtarisë, i cili prezantoi të gjitha fazat e procesit të prodhimit, nga ideimi dhe projektimi, përzgjedhja e materialeve, e deri te realizimi përfundimtar i produktit. Kjo përvojë u mundësoi nxënësve të njihen nga afër me proceset reale të punës dhe kërkesat e tregut në Kosovë.
Kompania „Hector Kuzhina” është shndërruar në një brend të njohur në vend, i cili një pjesë të madhe të prodhimit e plason edhe në tregun e Zvicrës, duke shërbyer si model suksesi për kompanitë vendore falë zgjuarsisë dhe vizionit të pronarëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes shkollës dhe kompanisë, dy nxënëse të klasës së XII-të do të kenë mundësinë të zhvillojnë praktikën profesionale pranë këtij gjiganti vendor.
Nga shkolla theksojnë se partneritete të tilla janë një urë e rëndësishme lidhëse mes teorisë dhe praktikës, duke i përgatitur nxënësit më mirë për tregun e punës.
