​LOKALE/Mbahet tryezë diskutimi për sigurinë në shkollat e Gjilanit

Policia e Kosovës, OSBE-ja dhe institucionet arsimore bashkojnë forcat për parandalimin e dukurive negative dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit.

​GJILAN – Sot u mbajt një tryezë diskutimi kushtuar sigurisë në shkolla, e organizuar nga Policia e Kosovës në partneritet të ngushtë dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

​Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë komandantin e Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, drejtorin e Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, Ramadan Ahmeti, kapitenen Nylgyn Kosova, si dhe togerin Fatos Latifi.

Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve arsimore, të këshillave të nxënësve, këshillave të prindërve dhe anëtarë të komunitetit.

​Fokusi kryesor i këtij takimi ishte trajtimi i çështjeve që lidhen me parandalimin e dukurive negative në shkollat e mesme të larta, raportimin me kohë të rasteve, si dhe hartimi i rekomandimeve konkrete për adresimin e dhunës dhe sfidave të tjera të sigurisë.

​Me këtë rast, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan u rikonfirmua përkushtimi për forcimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, prindërit, mësimdhënësit dhe komunitetin.

Synimi përfundimtar i këtyre angazhimeve është parandalimi i dukurive negative dhe krijimi i një mjedisi të sigurt, ku çdo nxënës mund të mësojë dhe të zhvillohet në frymën e respektit, mirëbesimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Shpërndaj me të tjerët