SHËNDETËSI/Gjilani forcon masat parandaluese kundër fruthit, prioritet mbrojtja e shëndetit të fëmijëve

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe menaxhmentin e QKMF-së, kanë mbajtur një takim pune për të vlerësuar situatën epidemiologjike dhe për të koordinuar masat parandaluese kundër përhapjes së fruthit.

​Gjatë takimit u theksua se, ndonëse rastet në Komunën e Gjilanit mbeten të izoluara, gjendja me këtë sëmundje infektive paraqet shqetësim në nivel vendi, gjë që kërkon vigjilencë të shtuar.

Për këtë arsye, institucionet shëndetësore u dakorduan për zbatimin e një plani strategjik veprimi për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe rritjen e mbulueshmërisë me vaksinë.

​Përmes një apeli publik, institucionet u bëjnë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të drejtohen në QKMF apo QMF-të e komunës për të kompletuar dozat e nevojshme, duke ritheksuar se vaksinimi është masa kryesore për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

/ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët