OPINION/Sfidat e adoleshencës dhe roli i komunikimit prindëror

Adoleshenca është një nga periudhat më dinamike të zhvillimit njerëzor, e përcjellë me ndryshime intensive biologjike, psikologjike dhe sociale.

Në këtë fazë, i riu përballet me pyetje thelbësore existentiale rreth vetes, identitetit social e moral, si dhe mënyrës se si perceptohet nga të tjerët.

​Kjo periudhë kërkimi shpesh shoqërohet me gjendje stresi, ankth, depresion, mungesë vetëbesimi apo sjellje impulsive emocionale, të cilat mund të shfaqen edhe si krizë identiteti.

​Për çdo adoleshent ekzistojnë tri çështje tejet relevante:

  • ​Gjetja e një identiteti personal, i ndryshëm nga të tjerët;
  • ​Integrimi dhe pranimi nga moshatarët;
  • ​Nevoja për pavarësi dhe vetëvendosje.

​Adoleshentët që marrin inkurajimin e duhur gjatë këtij eksplorimi zhvillojnë një ndjenjë të fortë të vetvetes dhe pavarësisë. Në anën tjetër, ata që mbeten të pasigurt për besimet e tyre shpesh ndihen të hutuar për të ardhmen.

Sipas psikologut të njohur Erik Erikson, përmbushja me sukses e kësaj faze çon në krijimin e aftësisë për të jetuar sipas standardeve dhe pritshmërive të shoqërisë.

​Shumë prindër e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët me fëmijët e tyre për të adresuar këto sfida.

Në këtë mes, stilet e prindërimit luajnë një rol përcaktues. Mënyra e komunikimit me adoleshentin duhet të jetë racionale, jo gjykuese dhe jo lënduese, por udhëzuese dhe këshilluese.

​Një komunikim efektiv duhet të përmbajë tri elemente kryesore:

  1. ​Qëllimin: Synimi i qartë se ku dëshirohet të doli me mesazhin.
  2. ​Mesazhin: Mendimet e shprehura ku i riu elaboron shqetësimet e tij.
  3. ​Ndikimin: Mënyra se si interpretohet mesazhi. Nëse ndikimi nuk përputhet me synimin, rekomandohet “metakomunikimi” – pra komunikimi rreth vetë mënyrës së komunikimit.

​Në përballjen me këto sfida, përveç mbështetjes prindërore, rëndësi të veçantë kanë edhe shërbimet profesionale psikologjike.

Ndihma e specializuar ndikon dukshëm në menaxhimin e stresit, tejkalimin e gjendjeve anksioze dhe ngritjen e vetëbesimit te të rinjtë.

​Nga: Ma. Sc. Besnik Sherifi, Specialist i psikologjisë klinike

/ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët