​KRONIKË/Sekuestrohen mbi 50 kg marihuanë dhe arrestohen dy persona në Gjilan

Një operacion taktik i zhvilluar nga Hetuesit e Trafikimit me Narkotikë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan ka rezultuar me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e mbi 50 kilogramëve lëndë narkotike.

​Aksioni i koduar “MALI” u realizua mbrëmjen e së premtes, pas hetimeve disa mujore ndaj personave të dyshuar për përfshirje në blerjen, posedimin dhe përgatitjen e transportit të narkotikëve jashtë vendit.

​Gjatë kontrollit në dy shtëpi dhe objekte përcjellëse, policia gjeti në bagazhin e njërit prej automjeteve 53 kilogramë marihuanë, vlera e së cilës në tregun vendor kap shifrën e rreth 80,000 eurove.

Veç substancës narkotike, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan dy automjete me targa vendore si dhe dy telefona mobilë.

​Operacioni u mbështet në terren nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Forenzika Rajonale në Gjilan.

Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit B.A. (38 vjeç) dhe S.H. (55 vjeç) janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët