ARSIM/Rektorja Malaj takon përfaqësuesit e studentëve

Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Fitore Malaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha njësitë akademike të universitetit, me të cilët ka diskutuar për çështje që lidhen me jetën studentore, cilësinë e studimeve dhe avancimin e proceseve akademike.

Gjatë takimit u diskutua për nevojat dhe sfidat e studentëve, përmirësimin e kushteve të studimit, organizimin e procesit mësimor, si dhe rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet stafit akademik dhe studentëve.

Rektorja Malaj theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve në proceset akademike, duke vlerësuar rolin e tyre në përcjelljen e kërkesave, ideve dhe propozimeve.

Ajo nënvizoi se dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë thelbësorë për krijimin e një mjedisi akademik cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkaq, përfaqësuesit e studentëve falënderuan rektoren Malaj për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

Ata theksuan se përmes angazhimit të përbashkët, mirëkuptimit dhe unitetit mund të avancohen proceset dhe të arrihen rezultate në të mirë të gjithë komunitetit akademik.

Studentët shprehën gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në zhvillimin e universitetit, duke vënë në pah rëndësinë e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Shpërndaj me të tjerët