Në kuadër të promovimit të gjithëpërfshirjes, solidaritetit dhe barazisë në sport, në Gjilan u zhvillua një ndeshje miqësore në Goalball (lojë e të verbërve) ndërmjet K.G. Gjilani dhe ekipit të Shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve nga Ferizaj.
Aktivitetit i dhanë një dimension të veçantë pjesëtarët e KFOR-it Amerikan dhe KFOR-it Turk, të cilët iu bashkuan lojës për të përcjellë mesazhin se sporti tejkalon çdo barrierë.
Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se sporti shërben si urë lidhëse mes njerëzve, duke promovuar respektin reciprok dhe bashkëjetesën.
Pjesëmarrja e personave me dëmtime të shikimit tregoi vullnetin dhe potencialin e tyre të madh për të qenë pjesë aktive e jetës sportive.
Organizatorët falënderuan K.G. Gjilani, ekipin nga Ferizaj si dhe pjesëtarët e KFOR-it për kontributin e tyre në këtë ngjarje me vlera të mëdha shoqërore.
Ky aktivitet u mundësua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, nën moton për mundësi të barabarta dhe sport për të gjithë.
