Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim të pandehurin E. Sh., pasi u shpall fajtor për veprën penale vrasje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator 2025 në sheshin “Bafti Haxhiu” në Viti. Sipas aktgjykimit, i akuzuari E. Sh., pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme dhe në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, ka goditur qëllimshëm me veturë një grup personash që po qëndronin në një tavolinë.
Si pasojë e përplasjes, A. F. pësoi lëndime të rënda trupore dhe ndërroi jetë dy ditë më vonë në QKUK.
Nga kjo ngjarje, një person tjetër pësoi lëndime të rënda, ndërsa tre të tjerë, mes tyre dy të mitur, morën lëndime të lehta trupore.
Krahas dënimit me burgim, gjykata i shqiptoi të akuzuarit edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në institucion shëndetësor, si dhe marrjen e lejes së vozitjes për 5 vjet.
Gjykata sqaroi se dënimi me burgim të përjetshëm nuk mund të shqiptohej pasi Kodi Penal e ndalon këtë masë për personat që veprën e kryejnë në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore.
I akuzuari do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
