Historiani nga Gjilani, Dr. Fitim Rifati, ka shënuar një tjetër sukses të madh akademik. Këshilli Shkencor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë e ka zgjedhur atë në thirrjen më të lartë shkencore Këshilltar Shkencor (Prof. Dr.) për periudhën e shekujve XIX-XX.
Fitim Rifati lindi më 13 shkurt 1987 në Pogragjë të Gjilanit. Hapat e parë të arsimimit i bëri në vendlindje, për të vazhduar studimet e nivelit bazë në Universitetin e Prishtinës, studimet e magjistraturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ato të doktoratës pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Lidhja e tij me arsimin dhe historinë lokale nisi që në fillimet e karrierës, ku në vitin 2011 punoi si arsimtar i lëndëve Histori-Gjeografi në Shkollën e Mesme të Ulët “Vehbi Ibrahimi” në Uglar të Gjilanit.
Po ashtu, gjatë viteve 2010–2013, ai udhëhoqi Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan, duke dhënë një kontribut të çmuar në jetën kulturore e shkencore të rajonit.
Nga gushti i vitit 2011, Dr. Rifati u bë pjesë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, ku përmes punës kërkimore-shkencore përshkoi të gjitha shkallët e avancimit akademik: nga hulumtues praktikant e deri te bashkëpunëtor i lartë shkencor.
Përveç punës kërkimore, ai ka shërbyer edhe si Sekretar Shkencor i Institutit (2022–2024) dhe Koordinator për bashkëpunim me Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në veprimtarinë e tij shkencore, Prof. Dr. Fitim Rifati është përqendruar veçanërisht në historinë e popullit shqiptar gjatë viteve 1878–1918, me theks të veçantë në zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore e arsimore.
Ai është autor i disa monografive studimore, botimeve me dokumente arkivore dhe dhjetëra punimeve shkencore të publikuara në revista kombëtare e ndërkombëtare. / dita24h /
