Në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese të muajit ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit, i njohur si “Tetori Roz”, Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan organizoi një ligjëratë informative me temë: “Parandalimi dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit”.
Me ftesë të veçantë të këtij institucioni, në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Gjilan.
Ligjërata u mbajt nga radiologu Dr. Muharrem Sadiku, i cili para të pranishmëve shtjelloi me rëndësi të veçantë domosdoshmërinë e ekzaminimeve periodike mjekësore.
Ai vuri në pah se diagnostikimi i hershëm mbetet faktori kyç për rritjen e suksesit në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Gjatë këtij takimi u gjykua si mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi ndërinstitucional për promovimine shëndetit publik.
Përfaqësuesit e pranishëm përsëritën apelin e tyre ndaj të gjitha grave që të mos i neglizhojnë kontrollet mjekësore rutinë, me porosinë se kujdesi ndaj shëndetit është hapi më i rëndësishëm drejt mbrojtjes së jetës.
