Familjarë, miq, shokë dhe bashkëveprimtarë,
Sot, më 29 tetor 2026, në spitalin e qytetit Biel/Bienne të Zvicrës, ka ndërruar jetë atdhetari i orëve të para dhe veprimtari i shquar me prejardhje nga Gjilani, Adem Islami (6 maj 1954 – 29 tetor 2026).
I lindur në fshatin Stanishor dhe me shkollim të mesëm të kryer në Gjilan, Adem Islami që nga viti 1976 jetoi dhe veprou në Gjenevë të Zvicrës.
Pas demonstratave të vitit 1981, ai iu bashkua fuqishëm kauzës kombëtare për Republikën e Kosovës, duke u bërë krah i afërt i Heroit Kadri Zeka dhe pjesëmarrës e organizator i demonstratave të para në Zvicër.
Si anëtar i orëve të para me numër rendor 17 në Klubin “Ikballe Prishtina” dhe veprimtar i LPRK-së, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm duke strehuar dhe ndihmuar shumë veprimtarë të rrezikuar nga regjimi i atëhershëm.
Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare dhe ndjekjes nga UDB-ja, për shumë vite nuk pati mundësi të kthehej në vendlindjen e tij të dashur në Anamoravë.
Adem Islami do të kujtohet gjithmonë si njeri i fjalës, burrë besnik dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare. Për kohën dhe vendin e varrimit do të informojmë me kohë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për atdhetarin Adem Islami!
Këtë njoftim dhe biografinë e të ndjerit e ka bërë të ditur publicisti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Ismet Rashiti.
/ dita24h /
