SPORT/KV Drita shkëlqen në Skenderaj dhe ruan kryesimin e pamposhtur

Skenderaj ka qenë vetëm një stacion i radhës për KV Drita, e cila ka regjistruar fitoren e radhës në Superligën A të volejbollit për femra, duke mposhtur skuadrën vendase në udhëtim me rezultat të pastër 0-3.

Vashat nga Gjilani dominuan nga fillimi deri në fund të takimit të zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë, duke mos i lënë hapësirë vendësve për surpriza dhe duke e mbyllur setin e parë me shifrat 15:25.

Edhe pse Skenderaj tregoi më shumë rezistencë dhe luftë sportive në setin e dytë, gjilanaset ruajtën qetësinë për ta fituar 20:25, ndërsa seti i tretë ishte sërish një pasqyrë e epërsisë mysafire, i mbyllur identikisht me rezultatin 15:25.

Me këtë triumf të radhës, Drita regjistron bilancin perfekt pas 7 javësh kampionale me po aq fitore, duke udhëhequr bindshëm tabelën e elitës si skuadër e vetme e pamposhtur dhe duke dëshmuar se mbetet pretendenti kryesor për trofeun e këtij edicioni. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët