Mjedise të shëndetshme arsimore – IKSHPK dhe QRSHP prezantojnë hulumtimin për shkollat e Gjilanit

Në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP) në Gjilan, në prani të zyrtarëve komunalë dhe drejtorëve të institucioneve arsimore, janë prezantuar gjetjet e hulumtimit profesional “Vlerësimi i kushteve mikroklimatike dhe higjienës në nyjat sanitare në institucionet arsimore të Komunës së Gjilanit”.

​Hulumtimi është realizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes Laboratorit të Parametrave Mjedisorë të Departamentit të Ekologjisë Humane, në bashkëpunim të ngushtë me QRSHP Gjilan dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Përmes pyetësorëve të strukturuar, vizitave në terren dhe matjeve direkte, u vlerësuan përqendrimet e NO2, CO2, CO, formaldehideve, grimcave PM2,5, si dhe temperatura, lagështia relative në ambientet e brendshme dhe kushtet higjieno-sanitare.

​Gjatë këtij prezantimi, Prof. Antigona Ukëhaxhaj ofroi një pasqyrë të detajuar të kushteve mikroklimatike dhe higjieno-sanitare në shkollat e hulumtuara, duke nëvizuar qartë aspektet që kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje imediate për përmirësim.

Diskutimin me të pranishmit e hapi Drejtoresha e QRSHP Gjilan, Dr. Burbuqe Shkodra, me ç’rast u mundësua shkëmbimi i informatave, adresimi i pyetjeve direkte si dhe shqyrtimi i mundësive konkrete për hapat e mëtejmë.

​Ky hulumtim ofron të dhëna të rëndësishme dhe dëshmi profesionale për domosdoshmërinë e monitorimit të rregullt të mjedisit të brendshëm dhe higjienës në institucionet arsimore, me synim krijimin e mjediseve sa më të shëndetshme për fëmijët, nxënësit dhe stafin arsimor.

​IKSHPK konfirmoi se do të vazhdojë të kontribuojë përmes hulumtimit, monitorimit dhe ekspertizës profesionale në mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit në të gjitha mjediset ku fëmijët mësojnë dhe zhvillohen./ dita24h /

Shpërndaj me të tjerët