LOKALE/Spektakli i sallto-ve dhe historia e dy legjendave të Hogoshtit

Në zemër të kujtesës sportive dhe njerëzore të Anamoravës, ekzistojnë figura që nuk maten vetëm me rezultate, por me gjurmët e pashlyeshme që lënë në shpirtin e një komuniteti.

Një rrëfim për Selim Mujajn dhe Avni Latifin është një udhëtim në kohë përmes edukimit, pasionit sportiv dhe shpirtit të palëkundur të sakrificës, ku futbolli bëhet art dhe mësuesia bëhet mision i shenjtë.

​Shkrimi i plotë i Naim Mujajt, ekonomist i diplomuar, i shkruar më 8 mëntor2024:

​Të shkruash për Avni Latifin nuk është gjë e lehtë. Ndërkaq të pretendosh të portretizosh figurën e Selim Mujaj është një mision i pamundur… Vërtetë i pamundur është…

​Ai përpara atyre që e njohën nga afër apo tregimeve të ndryshme na paraqitet si një personalitet shumëdimensional. Të gjitha këto shumëllojshmëri janë një kombinim i përkryer, i japin vlerë njëra tjetrës.

​Mbi të gjitha Ai përfaqëson vlerat njerëzore që ngërthejnë në vete solidaritet, dashuri, respekt, tolerancë e mirëkuptim. I mbetur jetim në fëmijërinë e hershme u rrit nën përkujdesjen e motras dhe vëllait pa e ndjerë shumë mungesën e nënës. Prandaj kjo e bëri shumë të dashur e të ndjeshëm ndaj rrethinës.

​Një mësues i devotshëm që për 4 dekada mësimdhënëse të fizkulturës i dha vlerë dhe peshën e merituar në edukimin dhe kalitjen fizike të fëmijëve deri në ditën e pensionimit (2018) në Gjilan.

​Selimi paraqet futbollistin më të spikatur që në epokën e tij ishte parë në terrenet sportive. Ai sportin e trajtonte si garë, hobi, dashuri. Sepse të përfundosh karrierën e futbollistit pa u ndëshkuar me kartonin e kuq është diçka që pak futbollistë e përjetojnë.

​Trajneri i përkryer i cili rezultatet kulminante i realizoi përmes edukimit moral dhe kalitjes fizike të lojtarëve, të cilët i trajtonte si fëmijë, njëjtë sikur me misionin e mësuesit për të cilin kishte bërë betimin.

​Po ta përmbyllja me këtë do të shtrohej pyetja logjike, çfarë përfaqëson Avniu në këtë mes. Thjeshtë…

​Nga vendbanimet rurale vështirë do të gjendej një fshat i tillë çfarë ishte Hogoshti, saktësisht një avangardë në zhvillimin e përgjithshëm social, arsimor, ekonomik etj.

Në këtë aspekt zhvillimi i hovshëm është edhe zhvillimi i shpejtuar i shumë disiplinave sportive duke kaluar nga lojërat tradicionale në sporte ku mbizotërojnë rregullat dhe parimet. Në këtë konglomerat sportesh mbizotëron futbolli.

​Selim Mujaj dhe Avni Latifi, me qëllim të perfeksionit më të madh të kulturës fizike në vitin 1974/75 kanë filluar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike për Kulturë Fizike dhe pas përfundimit të së njëjtës marrin thirrjen e mësuesit në këtë lëmi.

​Po të mos ishte futbolli këta do të mbeteshin nën hijen edhe të shumë mësuesve tjerë. Por futbolli i bëri të famshëm e mbi të gjitha të dashur.

​Selimi dhe Avniu sportit të futbollit i dhanë edhe bukuritë e gjimnastikës akrobatike. Janë të rrallë bashkëlojtarët dhe mbi të gjitha shikuesit e kohës që kanë harruar përjetimet dhe mënyrën e veçantë të shfaqjes së emocioneve pas shënimit të çdo goli që shënonte KF “Kika”.

​Ata pavarësisht vendndodhjes në stadium në drejtime të kundërta dhe për kënaqësinë e shikuesve të flaktë hogoshtas bënin kërcimet nga prapa të “sallto-ve” të paktën gjashtë prapa rrotullime.

​Golat e shënuar dhe akrobacionet e tilla rritnin entuziazmin, motivonin për lojë e suksese. Shëndet e mbarësi për dy legjendat!

​Sot, prof. Selim Mujaj, pas një karriere të gjatë e të bujshme sportive dhe edukative, shijon ditët e pensionit duke jetuar në Gjilan, ndërsa sa i përket Avniut, ai sot jeton dhe vepron në emigrim në Francë./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët