Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ka nisur realizimi i protezave totale të gjurit, duke shënuar një arritje të rëndësishme për këtë institucion shëndetësor dhe për qytetarët e rajonit.
Sot në këtë spital u realizua me sukses vendosja e protezës së parë totale të gjurit, e cila është siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Pacientja e cila i është nënshtruar këtij intervenimi kirurgjik është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Ajo është vizituar nga drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, i cili u interesua për ecurinë e saj gjatë dhe pas operacionit.
Me këtë rast, familjarët e pacientes kanë shprehur mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për menaxhmentin dhe për stafin e Ortopedisë për kujdesin e treguar dhe profesionalizmin e lartë.
Ky shërbim i ri do të mundësojë trajtim shumë më cilësor për pacientët tanë, duke u ofruar atë pranë vendbanimit të tyre dhe duke shmangur udhëtimet apo trajtimet jashtë komunës.
Stafi i spitalit vazhdon të mbetet i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta, duke pasur gjithmonë si prioritet absolut shëndetin e pacientëve.
Ndërhyrja e parë e suksesshme u krye nga ekipi i përbërë nga Dr. Veprim Presheva si operator, me asistentë Dr. Rinor Velekincën dhe Dr. Redon Jashari, ndërsa anestezionin e udhëhoqi Dr. Kelmend Jahiri.
Në ekipin operativ ishin edhe instrumentarja Veranda Xhimshiti dhe teknikja e anestezionit Hasime Qerimi.
Ekipit të Ortopedisë dhe gjithë ekipit operator në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit i dëshirojmë suksese të mëtejshme në punën e tyre humanitare dhe profesionale./dita24h/
