POLITIKË/Kuvendarët e Gjilanit miratojnë unanimisht Planin Operativ Emergjent me anekset funksionale

Gjilan, 26 nëntor 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e sotme të udhëhequr nga Krenare Latifi-Kqiku, e cila është e dhjeta për këtë vit, ka miratuar unanimisht Planin Operativ Emergjent me anekset funksionale, të cilin e ka arsyetuar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani.

​Me këtë rast, Shabani ka theksuar se Plani Operativ Emergjent është në harmoni me legjislacionin në fuqi, Planin e Reagimit Kombëtar dhe Statutin e Komunës së Gjilanit, dhe ka për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale për përgatitje, koordinim dhe reagim në situata emergjente.

​Kuvendarët e Gjilanit, në seancën e sotme, kanë miratuar edhe propozim-vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese, të cilin e ka prezantuar Mimoza Kadriu, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për zëvendësimin e një anëtari në Këshillin Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore.

Po ashtu, është prezantuar edhe raporti i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) nga drejtori Enver Shabani.

​Ndërkohë, Kuvendi ka hequr nga rendi i ditës propozim-vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të KKSB-së për shtimin e një anëtari të ri, si dhe propozim-vendimin për kompensimin e shujtave për shërbyesit civilë.

Për këtë të fundit u miratua një komision i përbërë prej të gjitha grupeve politike, i cili bashkë me drejtorin për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, do t’i konkretizojë të gjitha çështjet, numrin e shërbyesve civilë përfitues dhe kodin buxhetor nga i cili do të sigurohen mjetet, për ta nxjerrë një vendim të përshtatshëm e të zbatueshëm.

​Për më tepër, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, ka thënë se kjo fushatë nuk duhet të mbetet vetëm aktivitet simbolik, por angazhim i përditshëm i secilit prej nesh, duke shtuar se institucionet lokale kanë rol të rëndësishëm në parandalimin e dhunës dhe në mbrojtjen e viktimave.

​Për këtë aktivitet kanë adresuar mesazhet e tyre edhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, dhe përfaqësueset e grupeve politike në Kuvend, Albulena Hajdari (VV) dhe Gresa Avdiu (LDK).

​Në këtë seancë kanë kontribuar në debat me pyetje, propozime e rekomandime edhe anëtarët e Kuvendit: Kushtrim Kadriu, Shpend Nuhiu, Gentrit Murseli, Sami Ahmeti, Bekim Salihu, Muhadin Haziri, Albulena Hajdari, Gresa Avdiu, Fatos Ramadani, Artan Cani, Malikie Hoxha, Arbër Ismajli, Liresë Kosumi, Burhan Isufi e Besnik Shala, të cilëve u janë përgjigjur drejtorët komunalë: Isa Agushi, Mimoza Kadriu, Elbasan Shabani, Kushtrim Ibrahimi, Avdyl Kastrati e Enver Shabani.

​Ndryshe, në këtë seancë e ka dhënë betimin edhe anëtari më i ri i Kuvendit, Adnan Syla, i cili e zëvendëson Naser Arifin (Guxo)./dita24h/

​

Shpërndaj me të tjerët