Gjilan, 18 nëntor 2026 – Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe vendosjen e rendit, nga sot në objektin e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Gjilan është vendosur një zyrtar policor nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ky hap synon mbrojtjen e punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, si dhe garantimin e rregullit në institucion.
Duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të rasteve që trajtohen në QPS, krijimi i një ambienti të sigurt dhe të qetë vlerësohet i domosdoshëm si për stafin, ashtu edhe për qytetarët që marrin shërbime.
”Siguria e punonjësve, respektimi i rregullave dhe funksionimi i rregullt i institucionit janë përgjegjësi që kërkojnë veprime konkrete,” thuhet në njoftim, duke shtuar se drejtoria mbetet e përkushtuar në fuqizimin e QPS-së, përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale për qytetarët. /dita24h/
