KULTURË/Klubi Letrar “Nositi” në Dardanë shënon të premten 30-vjetorin e themelimit

Gjilan, 18 nëntor 2026 – Në kuadër të aktiviteteve për nder të Festave të Nëntorit, Klubi Letrar “Nositi” në Dardanë shënon 30-vjetorin e veprimtarisë së tij kulturore e letrare.

Manifestimi jubilar do të mbahet këtë të premte, më 20 nëntor 2026, duke filluar nga ora 13:00, në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati”.

​Në këtë përvjetor të fjalës së bukur artistike do të përurohen edhe tre numrat e revistës letrare me të njëjtin emër,  numrat 27, 28 dhe 29, të botuar gjatë këtij viti në shenjë të këtij jubileu.

​Gjatë ngjarjes, me kumtesat e tyre do të paraqiten disa nga themeluesit e këtij asociacioni kulturor, të cilët kanë sjellë kujtimet e shkruara nga themelimi i klubit e deri më sot.

​Një veçanti të posaçme ka numri 29 i revistës “Nositi”, i cili ka dalë sot nga shtypi.

Ky numër vjen si botim bibliografik që përmbledh të gjitha përmbajtjet e revistës nga numri 1 deri në numrin 28, i përgatitur nga anëtari i redaksisë, Musa I. Ahmetaj. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët