Gjilan, 18 nëntor 2026 – Kombëtarja e Kosovës do të jetë pjesë e vazos së tretë në shortin e eliminatoreve të Kampionatit Evropian “Euro 2028”, duke u pozicionuar krah për krah me Shqipërinë.
Sipas projeksionit të fundit të publikuar nga faqja e specializuar Football Meets Data, bazuar në renditjen e përkohshme të Ligës së Kombeve, për “Dardanët” ky është një zhvillim jo i favorshëm, pasi bien nga vazoja e dytë në të tretën.
Vendin e fundit të lirë në vazon e dytë e ka siguruar matematikisht Irlanda, duke bërë që Kosova ta mbyllë këtë fazë në vazon pasuese, ku pozicionohen 12 përfaqësuese, përfshirë edhe kuqezinjtë.
Ky pozicionim bën që Kosova dhe Shqipëria ta shmangin njëra-tjetrën në fazën kualifikuese, por njëkohësisht i vendos të dyja përballë kundërshtarëve shumë të fortë nga dy vazot e para.
Të gjitha përfaqësueset e pasqyruara në tabelë tashmë e kanë të siguruar matematikisht vazon e tyre, pavarësisht rezultateve të mbetura.

Ndarja e plotë e vazove për shortin e Euro 2028:
Vazoja 1: Anglia, Portugalia, Franca, Gjermania, Spanja, Belgjika, Holanda, Norvegjia, Greqia, Italia, Danimarka, Kroacia.
Vazoja 2: Uellsi, Serbia, Turqia, Çekia, Zvicra, Suedia, Austria, Irlanda e Veriut, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina, Hungaria, Irlanda.
Vazoja 3: Ukraina, Skocia, Kosova, Polonia, Izraeli, Rumania, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Islanda, Sllovakia.
Vazoja 4: Estonia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Finlanda, Moldavia, Armenia, Bullgaria, Kazakistani, Luksemburgu, Letonia, San Marino.
Vazoja 5: Malta, Azerbajxhani, Lituania, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtejni.
Shorti i eliminatoreve të Euro 2028 do të hidhet më 6 dhjetor 2026 në Belfast, duke nisur nga ora 18:00, ku Kosova dhe Shqipëria do të mësojnë kundërshtarët e tyre në rrugëtimin drejt turneut final. /dita24h/
