Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Sektoriale dhe Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan, ka realizuar sot (18.11.2026) ligjërata edukative me fëmijët e ciklit parashkollor në shkollën “Abaz Ajeti” dhe në institucionin parashkollor “Ardhëria II” të lagjes Dardania.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për vetëdijesimin dhe edukimin e gjeneratave të reja mbi sigurinë në komunikacionin rrugor. Gjatë ligjëratave, fëmijët u informuan për rregullat bazë të trafikut, respektimin e shenjave të komunikacionit dhe sjelljet e duhura gjatë lëvizjes në rrugë.
Përveç pjesës teorike, aktiviteti u shoqërua edhe me demonstrime praktike në terren. Nën përcjelljen e zyrtarëve policorë dhe stafit arsimor, fëmijët mësuan nga afër mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës, përdorimin e vendkalimeve për këmbësorë dhe kujdesin e nevojshëm në komunikacion.
Sipas policisë, qëllimi i këtij aktiviteti është edukimi i fëmijëve që në moshë të hershme për parandalimin e rreziqeve në trafik, si dhe rritja e vetëdijes tek të gjithë shoferët për kujdes të shtuar ndaj fëmijëve në rrugë./dita24h/
