GJILAN – Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Thimi Mitko” në Gjilan ka pritur sot përfaqësuesit e KFOR-it Italian, duke shënuar kështu një dekadë bashkëpunimi të ndërtuar mbi vlerat e respektit, besimit dhe humanitetit.
Ky aktivitet i veçantë iu dedikua fëmijëve të klasës parafillore, konkretisht Grupit “Bleta”, të cilët patën mundësinë të përjetojnë nga afër gëzimin e mikpritjes, solidaritetit dhe miqësisë me ushtarakët italianë.
Gjatë këtij takimi, zëvendësdrejtoresha e shkollës, Yllka Behluli, përgëzoi edukatoren Valentina Kurtalani Jashari për iniciativën dhe realizimin me sukses të këtij projekti.
Në emër të institucionit arsimor, znj. Behluli shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për KFOR-in Italian, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme, bujarinë dhe kontributin e tyre të çmuar ndër vite për nxënësit e kësaj shkolle.
Përveç KFOR-it Italian, mirënjohje e veçantë u nda edhe për Karabinierët Italianë (Carabinieri) si dhe për Kryqin e Kuq – dega në Gjilan, për përkrahjen e pakursyer dhe solidaritetin e treguar ndaj fëmijëve.
“Besojmë se fëmijët nuk i mbajnë mend vetëm dhuratat që marrin, por mbi të gjitha njerëzit që ua dhurojnë me zemër”, u shpreh edukatorja Valentina Kurtalani Jashari, duke falënderuar partnerët për 10 vite miqësi të sinqertë.
Ky aktivitet konfirmon edhe një herë lidhjen e fortë mes komunitetit lokal, institucioneve arsimore dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë në shërbim të brezave të rinj./dita24h/
