Pingpongistet e Klubit të Pingpongut Gjilani-F (KPP Gjilani-F) kanë regjistruar një paraqitje të suksesshme në Kampionatin Mbarëkombëtar Kosovë – Shqipëri 2026, duke dëshmuar edhe një herë cilësinë dhe punën e palodhur me gjeneratat e reja.
Në konkurrencën ekipore, ekipi i vajzave të KPP Gjilani-F arriti të rrëmbejë vendin e tretë, duke u ngjitur në podiumin e kësaj gare mbarëkombëtare.
Ndërkohë, në garën individuale, dy sportistet e klubit, Zana Bllaca dhe Adea Kulla, u radhitën ndër tetë më të mirat.
Ajo që e bën këtë rezultat edhe më mbresëlënës është fakti se garat u zhvilluan në kategorinë Senior, ndërsa ngjyrën dhe peshën kryesore të suksesit e dhanë sportistet e reja të Gjilanit: 10-vjeçarja Zana Bllaca dhe 17-vjeçarja Adea Kulla.
Paraqitja e tyre përballë konkurrenteve më me përvojë tregon potencialin e madh dhe perspektivën e ndritur që ka pingpongu gjilanas.
Nga klubi vlerësojnë se këto arritje janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm dhe punës sistematike për zhvillimin e talenteve të reja.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar trajnerit Naser Hasani për angazhimin dhe kontributin e tij të pandërprerë.
Gjithashtu, KPP Gjilani-F ka shprehur mirënjohje për sponsorët BRICKOS dhe MONUNI, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë vitit 2026, e cila ka qenë vendimtare në realizimin e planeve dhe arritjen e sukseseve të shumta të klubit.
Klubi ka përgëzuar Zana Bllacën, Adea Kullën dhe Olsën për paraqitjen dinjitoze, duke vënë në pah krenarinë për sportistet dhe për qytetin e Gjilanit. /dita24h/
