SPORT/KPP Gjilani-F, vendi i 3-të në Kampionatin Mbarëkombëtar Kosovë – Shqipëri

Pingpongistet e Klubit të Pingpongut Gjilani-F (KPP Gjilani-F) kanë regjistruar një paraqitje të suksesshme në Kampionatin Mbarëkombëtar Kosovë – Shqipëri 2026, duke dëshmuar edhe një herë cilësinë dhe punën e palodhur me gjeneratat e reja.

​Në konkurrencën ekipore, ekipi i vajzave të KPP Gjilani-F arriti të rrëmbejë vendin e tretë, duke u ngjitur në podiumin e kësaj gare mbarëkombëtare.

Ndërkohë, në garën individuale, dy sportistet e klubit, Zana Bllaca dhe Adea Kulla, u radhitën ndër tetë më të mirat.

​Ajo që e bën këtë rezultat edhe më mbresëlënës është fakti se garat u zhvilluan në kategorinë Senior, ndërsa ngjyrën dhe peshën kryesore të suksesit e dhanë sportistet e reja të Gjilanit: 10-vjeçarja Zana Bllaca dhe 17-vjeçarja Adea Kulla.

Paraqitja e tyre përballë konkurrenteve më me përvojë tregon potencialin e madh dhe perspektivën e ndritur që ka pingpongu gjilanas.

​Nga klubi vlerësojnë se këto arritje janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm dhe punës sistematike për zhvillimin e talenteve të reja.

Një falënderim i veçantë i është drejtuar trajnerit Naser Hasani për angazhimin dhe kontributin e tij të pandërprerë.

​Gjithashtu, KPP Gjilani-F ka shprehur mirënjohje për sponsorët BRICKOS dhe MONUNI, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë vitit 2026, e cila ka qenë vendimtare në realizimin e planeve dhe arritjen e sukseseve të shumta të klubit.

​Klubi ka përgëzuar Zana Bllacën, Adea Kullën dhe Olsën për paraqitjen dinjitoze, duke vënë në pah krenarinë për sportistet dhe për qytetin e Gjilanit. /dita24h/

Shpërndaj me të tjerët