Fermerët e Gjilanit kanë marrë sot një mbështetje të rëndësishme për sezonin e mbjelljeve vjeshtore, pasi Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, ka realizuar shpërndarjen e farës së grurit dhe plehut artificial për 1,084 fermerë përfitues.
Vlera e përgjithshme e këtij subvencionimi arrin në 171,200 euro.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të kësaj mbështetjeje janë shpërndarë 200 tonë farë gruri dhe 140 tonë pleh artificial.
Kjo sasi pritet të mundësojë mbjelljen e rreth 800 hektarëve tokë bujqësore, duke lehtësuar ndjeshëm punët vjeshtore në fushë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e prodhimtarisë vendore.
Nga Komuna e Gjilanit bëhet e ditur se ky angazhim synon fuqizimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e tij, teksa fermerëve u janë uruar suksese dhe prodhimtari të mbarë./dita24h/
