Një pasion që nis në fëmijëri
Shumë prej fotografive të vjetra të Gjilanit që qarkullojnë sot në rrjete sociale e portale, vijnë nga arkiva personale e sociologut dhe koleksionuesit të pasionuar, Ismajl Veliu. Prej moshës 10-vjeçare, ai ka filluar të mbledhë fotografi të qytetit të tij të lindjes, duke e kthyer këtë në një mision personal për ruajtjen e kujtesës kolektive të Gjilanit.
Fotografitë si dëshmi e historisë
“Fotografitë e vjetra janë pasqyrë e së kaluarës, janë dëshmi që rrëfejnë histori konkrete,” thotë Veliu. Ai beson se këto imazhe janë mënyra më e mirë për t’ua afruar të rinjve të sotëm një copëz të së kaluarës që nuk e kanë jetuar. Në bibliotekën e tij personale, ruan me kujdes qindra fotografi bardh e zi dhe me ngjyra të rralla, të cilat paraqesin pamje nga lagjet, rrugët, tregjet dhe ngjarjet e dikurshme të Gjilanit.
Arkivist i shtypit të viteve ’90
Përveç fotografive, Ismajli ka ruajtur edhe një numër të madh të gazetave të vjetra, si:“Rilindja”, “Zëri Javor”, “Bujku”, “Shkëndija”, të cilat i mblidhte me përkushtim në vitet e ’90-ta. Ai tregon me mall se “dikur, blerja dhe leximi i gazetës në mëngjes kishte një shije të veçantë, ishte pjesë e kulturës qytetare, që sot për fat të keq, mungon”.
Mungesa e krediteve dhe ndjenja e padrejtësisë
Veliu shpreh shqetësimin se shumë portale dhe media marrin fotografitë nga arkivi i tij pa përmendur burimin. “Kjo nuk është korrekte, sidomos kur flasim për diçka që e kam mbledhur me dekada nga përkushtimi dhe pasioni personal,” thekson ai.
Një memorie që flet me saktësi
Përveç pasurisë arkivore, Ismajli ka një mbamendje të jashtëzakonshme. Ai rrëfen me detaje historinë e shumë fotografive, duke shpjeguar vendin, vitin, njerëzit që shihen në to, dhe rrethanat kur janë shkrepur, një dëshmi e gjallë dhe e rrallë për të kaluarën e qytetit të tij.