“Gjilani në rrëmujë, kryetari në fshat për foto”, PDK shpërthen ndaj Alban Hysenit

 

Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Rijad Rashiti, ka kritikuar ashpër kryetarin aktual të komunës, Alban Hyseni, për mosinteresim ndaj qytetit dhe fokusim në propagandë vizuale nëpër fshatra.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Rashiti ka deklaruar se Gjilani është shndërruar në një qytet të rrëmujshëm, të papastër, me infrastrukturë të degraduar, mungesë të gjelbërimit dhe plot qen endacakë nëpër rrugë, ndërkohë që kryetari i komunës, sipas tij, është i angazhuar më shumë në “shoë” mediatik sesa në punë konkrete.

“Qendra e qytetit duket si e braktisur, e gjelbërimi është bërë shkrumb e hi prej mosujitjes e neglizhencës. E ndërkohë, kryetari s’ka kohë për qytetin, por po bredh nëpër fshatra për ndonjë punë të lodhtë kinse po nis projekte të reja – veç për ndonjë foto të bukur për propagandë”, ka shkruar Rashiti.

Ai ka theksuar gjithashtu se mërgimtarët që po kthehen në vendlindje këtë verë, po përjetojnë një Gjilan më të degraduar se kurrë më parë, duke theksuar se qyteti nuk njihet më nga gjendja e rënduar që e ka kapluar.

“Gjilani s’ka nevojë për shoë, por për punë të ndershme. Boll më me mashtrime, foto boshe e propagandë për sy e faqe”, përfundon Rashiti.

 

 

Shpërndaj me të tjerët