Tejkalim i rrezikshëm përmes trotuarit në Gjilan, gjobitet shoferi me targa të Zvicrës, njoftohen autoritetet zvicerane

 

Në qytetin e Gjilanit, një kundërvajtje serioze rrugore është regjistruar nga qytetarët dhe publikuar në rrjetet sociale. Vozitësi i automjetit Audi S6 me targa të kantonit TG (Zvicër) ka kryer një tejkalim të rrezikshëm përmes trotuarit në anën e djathtë, pranë një udhëkryqi, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Pas publikimit të pamjeve nga qytetarë dhe media lokale, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka vepruar me shpejtësi, duke identifikuar shoferin dhe duke i shqiptuar gjobë konform Ligjit mbi rregullat e trafikut rrugor nr. 08/L-186.

Në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve, rasti dhe gjoba e shqiptuar do t’i përcillen autoriteteve zvicerane për veprime të mëtejme ligjore në vendin e regjistrimit të mjetit.

Apel qytetarëve: Respektoni rregullat dhe raportoni sjelljet e rrezikshme

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Gjilan vazhdon të jetë e përkushtuar për rritjen e sigurisë në trafik dhe inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo shkelje të rregullave rrugore, qoftë në mënyrë direkte në stacionet më të afërta, apo në mënyrë elektronike:

📱 Aplikacioni digjital: “Lajmëro Policinë”
📧 Email: info@kosovopolice.com
☎️ Numrat e kontaktit: 192 dhe 038 5080 7001

Respekto ligjin – shpëto jetë!

 

 

Shpërndaj me të tjerët