Në malësinë e harruar, aty ku mësuesi dhe nxënësit numërohen me gishta

 

Vetëm katër familje rezidente në një vend të largët kodrinor

Suharra, mëhalla e Tahirëve në Malësinë e Bujanocit, është një nga ato fshatra ku koha duket se ka ndalur. Në këtë vend të thellë malor, larg zhurmës urbane dhe larg edhe shërbimeve më bazike, jetojnë vetëm katër familje. Njëri prej tyre është Ilmi Bajrami, mësues dhe banor i përkushtuar, i cili përkundër vështirësive, nuk ka ndërmend të largohet.

Mësues i vetëm për dy nxënës

Ilmiu e ushtron profesionin e mësuesit për vetëm dy nxënës. “Është punë sfiduese, sepse mungon socializimi, aktivitetet janë të kufizuara dhe motivimi i nxënësve është i vështirë për t’u ruajtur. Por nga ana tjetër, fizikisht dhe profesionalisht është punë më e lehtë”, tregon ai me sinqeritet.

Jetë e thjeshtë, por me bukuri natyrore

Në fshat jetojnë gjithsej 23 banorë, prej tyre 9 janë fëmijë nga mosha 6 deri në 17 vjeç. Shumica e familjeve merren me bujqësi, blegtori dhe përpunim të qymyrit. “Toka është më shumë për kullose dhe kositje, e bëjmë bari për dimër”, thotë Ilmiu, duke shpjeguar mënyrën se si mbijetojnë në këtë terren të ashpër.

Vendlindja nuk braktiset

Për Ilmiun, vështirësitë janë të shumta, por dashuria për vendlindjen i tejkalon ato. “Tri gjëra nuk duhen harruar kurrë: Zoti, nëna dhe vendlindja. Asnjërës nuk duhet t’i kthesh shpinën. Po, kemi telashe të shumta, por kur e don vendin tënd, çdo pengesë kapërcehet më lehtë”, thotë ai me një ndjenjë të thellë përkatësie.

Gjithmonë i pranishëm për Malësinë

Në çdo iniciativë që organizohet në Malësi, Ilmia është aty,  pa shumë fjalë, por gjithmonë me vepra konkrete. Ai është prej atyre njerëzve që nuk pret të thirret, sepse është gjithmonë i gatshëm të përgjigjet i pari.

 Thirrje për kthim

Në fund, ai ka një apel për ish-banorët e Suharrës: “Edhe me mundësi të pakta, kthehuni. Jeta në malësi është ndryshe, ka shumë përftime, është e pastër, është natyrore dhe ka potencial për blegtori, bujqësi e pemëtari. Mos e harroni vendin tuaj!”

 

Shpërndaj me të tjerët