Një ditë tragjike që tronditi Kosovën
Ngjarjet e fundit kanë goditur rëndë ndjenjën e sigurisë së qytetarëve. Vetëm brenda një dite në Gjilan humbën jetën tre persona, ndërsa një ditë më pas u raportuan viktima edhe në Hajvali e Prizren. Një realitet i hidhur që ngre pyetje të mëdha mbi përgjegjësinë e institucioneve dhe efikasitetin e sistemit tonë të drejtësisë.
Rritja alarmante e dhunës
Shifrat dhe ngjarjet flasin vetë: rritje alarmante e dhunës grupore, madje edhe mes të miturve. Ekspertët e sigurisë dhe qytetarët e lidhin këtë me ligje të mangëta, që shpesh mbrojnë më shumë të drejtat e të akuzuarve sesa sigurinë e komunitetit. Interpretimet e gjera të ligjeve krijojnë terren për shmangie të dënimeve, ndërsa autorët e veprave të rënda shpesh dalin të lirë.
Ligje me boshllëqe dhe politika të verbëta
Parlamenti dhe deputetët kanë përgjegjësi direkte për këtë situatë. Vota e qytetarëve nuk duhet të jepet verbërisht sipas linjave partiake, por për njerëz me integritet, guxim dhe përvojë në siguri dhe drejtësi. Nëse ligjet nuk rishikohen me urgjencë, siguria publike do të mbetet peng i interesave politike.
Drejtësia e kapur dhe gjykatat e mëshirshme
Sistemi i drejtësisë shpesh akuzohet për korrupsion dhe kapje nga interesa të ngushta. Prokuroria, pavarësisht dosjeve të plota të hetuesisë, nuk ndërmerr masa të forta. Gjykatat japin vendime që nuk reflektojnë peshën e veprave penale, duke injoruar rrezikun për shoqërinë.
Policia nën kritika, institucionet në heshtje
Ministria e Drejtësisë ende nuk jep sinjale të qarta për reforma urgjente. Policia e Kosovës përballet me kritika të forta, si në rastin e Gjilanit ku katër zyrtarë policorë u suspenduan pas ngjarjes. Ekspert të Policisë, paralajmërojnë se pa vlerësime serioze të kërcënimeve dhe masa parandaluese, situata mund të përshkallëzohet edhe më tej.
Rasti që tronditi Gjilanin
Vrasja e tre personave në Gjilan nga një fajdexhi me dosje të pasur kriminale, që ende ishte i lirë, është dëshmi e qartë e dështimit të zinxhirit të drejtësisë. Qyteti, dikur shembull i qetësisë, sot është i mbuluar nga frika dhe pasiguria.
Heshtja është bashkëfajësi
Sa më gjatë të fle drejtësia, aq më shumë gjak do të derdhet në rrugët tona. Krimi nuk njeh pritje, por shteti po vazhdon të vonohet. Çdo jetë e humbur nuk është vetëm statistikë, është një dështim i rëndë moral dhe institucional. Zgjimi i shtetit nuk duhet të vijë pas tragjedive, por para tyre. Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë.