LDK në Gjilan ka reaguar për punësimet e fundit në Drejtorinë Komunale të Arsimit

 

LDK në Gjilan ka reaguar përmes një postimi në faqen e saj zyrtare lidhur me punësimet e fundit në Drejtorinë Komunale të Arsimit

Postimi i LDK: Konkursi i DKA-së, vazhdim i punësimeve partiake dhe familjare në këtë mandat

LDK në Gjilan shpreh shqetësimin e thellë për konkursin e fundit të shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit, i cili, në vend që të jetë një garë e drejtë dhe transparente për punësim, ka nxjerrë në pah një varg punësimesh partiake e familjare, si dhe shkelje të shumta ligjore e procedurale.

Ky konkurs, në vend që të hapë dyert për njerëzit meritorë dhe profesionistët e arsimit, është shndërruar në një mekanizëm për të shpërblyer militantë partiakë, të afërm dhe farefis të pushtetit. Fatkeqësisht, edhe ky mandat po vazhdon me të njëjtin avaz, ku prioritet nuk janë kuadrot profesionale, por lidhjet partiake dhe familjare.

Njëra nga shkeljet më flagrante lidhet me RREGULLOREN (QRK) Nr. 19/2024, përkatësisht me nenin 21, që përcakton përbërjen e komisionit përzgjedhës:

• Pika 8 kërkon që anëtari i komisionit të jetë një përfaqësues i nominuar nga Këshilli i Prindërve në nivel komunal. Në këtë konkurs, anëtari i caktuar vjen nga një këshill i prindërve në nivel shkolle, konkretisht nga fshati Malishevë, gjë që bie ndesh me rregulloren.

• Pika 6 përcakton që i njëjti anëtar i komisionit duhet të ketë së paku kualifikimin e barasvlefshëm me atë të kandidatëve që aplikojnë në këtë konkurs. Në këtë rast, anëtari i komisionit nuk i plotëson këto kritere minimale profesionale.

Këto shkelje e bëjnë konkursin të pavlefshëm dhe të manipuluar, duke e kompromentuar të gjithë procesin e përzgjedhjes.

Prandaj, LDK në Gjilan kërkon që ky konkurs të kthehet në pikën zero, në mënyrë që të garantohet një proces i drejtë, transparent dhe i hapur për të gjithë kandidatët e merituar. Vetëm në këtë mënyrë arsimi në qytetin tonë mund të ketë cilësi dhe të ecë përpara.

Arsimi nuk mund të bëhet pronë e partisë. Arsimi është e ardhmja e fëmijëve tanë dhe nuk guxon të keqpërdoret për interesa të ngushta politike e familjare.

Njëkohësisht, ftojmë të gjithë kandidatët e pakënaqur që të ushtrojnë ankesat e tyre në instancat administrative dhe gjyqësore, në mënyrë që të mbrojnë të drejtën e tyre ligjore.

 

 

Shpërndaj me të tjerët