Profesor i historisë, mjeshtër i valles burimore

 

Hapat e parë në valle

Në trevën e Anamoravës, aty ku vallja burimore shqiptare ka rrënjë të thella, emri i profesorit të Historisë, Musah Rahimi, tingëllon si një melodi e gjallë kujtimesh e gëzimesh popullore. Tashmë i pensionuar, ai njihet si një nga valltarët më të dashur e më të njohur të këtij rajoni.
Me krenari e zemër të mbushur, Musahu rrëfen se hapat e parë të valles i mësoi ende fëmijë, vetëm tetë vjeç, nga vëllai i tij i madh, Xhemajli, ai që do të bëhej një nga themeluesit e Ansamblit  Autokton “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan të komunës së Gjilanit. Ishte Xhemajli që i ndezi dashurinë për vallen, duke i dhënë jo vetëm hapat, por edhe frymën e shpirtin e saj.

Vendlindja dhe trashëgimia

“Vendlindja ime është fshati Stançiq, malësia e Karadakut,” thotë profesori me zë plot mall. Ky fshat, i mbështetur mbi krahët e maleve, është djep i folklorit dhe i valles burimore shqiptare. Nga aty kanë dalë shumë valltarë të njohur, e mes tyre më i shquari mbetet pikërisht vëllai i tij, Xhemajl Rahimi. Ishte ai që ia hapi rrugën, e Musahu, i frymëzuar që në fëmijëri, nuk do t’i ndahej kurrë këtij arti.

Në gjurmët e ansamblit

Vitet 1973/74 shënuan një kapitull të ri për Musahun. Si nxënës i vitit të tretë të Gjimnazit, ai iu bashkua Ansamblit “Bajram Curri” të fshatit Shurdhan. Përmes këtij ansambli, vallja e tij nuk mbeti më vetëm për dasmat dhe tubimet e fshatit, por u bë pjesë e një udhëtimi më të madh.
Ansambli arriti suksese të shumta, duke përfaqësuar Gjilanin e Kosovën me krenari. Pjesëmarrja në festivale kombëtare e ndërkombëtare solli jo vetëm lavdi, por edhe dëshmi se si vallja burimore shqiptare ishte e veçantë, e pazëvendësueshme, duke zënë shpesh vendet më të larta e më të lakmuara.

Dashuria për vallen

“Vallet që i kam për zemër janë të gjitha origjinale burimore shqiptare,” thotë profesori me një shkëlqim të veçantë në sy. Ai përmend disa prej tyre me nostalgji: Deli Agushin, Mehmet o Birë, Ibrahim Hoxha, Vallja e Tretë dhe e Katërt, Marhama, Vallja e Gjilanit e shumë të tjera.
Për të, vallja nuk është vetëm argëtim. Është një pasion i pashuar, një çlirim shpirtëror, një shëndet i gjallë për trupin dhe mendjen. Çdo hap i saj është ritëm jete, çdo lëvizje është gëzim i zemrës.

Vlera dhe trashëgimi

Musah Rahimi e di mirë se vallet burimore shqiptare nuk janë thjesht valle, por një trashëgimi e çmuar që bart kujtesën e brezave. Ai kujton se treva e Karadakut të Gjilanit është dalluar gjithmonë për mjeshtërinë e valltarëve të saj. Këtë e kanë dëshmuar edhe muzikologët e njohur të Kosovës, duke i dhënë kësaj treve, për shumë vite rresht, vendin e parë në Revistën e Folklorit Burimor në Drenas.
“Vallet e burrave kanë stil, kanë zë e ngjyrë, kanë trashëgimi e traditë. Nuk mund t’i luaj kushdo ashtu siç duhet. Një valltar duhet ta ndiejë vallen me gjithë qenien e tij, sepse ajo nuk kopjohet e as nuk imitohet lehtë,” shprehet profesori.

Magjia e valles së vërtetë

Kur valltari lëviz me shpirt, kur grupi që e përcjell i bie instrumentit me dashuri, atëherë lind magjia. Në dasma apo në skena, spektatori mbetet i mahnitur, e valltari shndërrohet në simbol të gëzimit. Për Musahun, këto janë çaste të paharrueshme, momente ku arti takohet me shpirtin e popullit.

Thirrje për brezat e rinj

Në fund, profesori Musah Rahimi ka një porosi të qartë: “Këto valle nuk duhet humbur. Duhet të ruhen, të kultivohen dhe të trashëgohen me gjenerata, sepse janë autoktone, janë pasuri e shpirtit tonë kombëtar.”
Në fjalët e tij ndjehet jo vetëm nostalgjia e një valltari që ka kaluar dekada në shërbim të këtij arti, por edhe amaneti i një brezi të tërë që e mban folklorin si gjakun në damarë.

 

Shpërndaj me të tjerët