Bixhoz i paligjshëm në Pozheran, policia arreston 11 persona gjatë bastisjes
Një aksion i Policisë së Kosovës në fshatin Pozheran të Vitisë ka rezultuar me arrestimin e njëmbëdhjetë personave të dyshuar për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.
Sipas njoftimit të policisë, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Stacionit Policor në Viti, pas pranimit të informacioneve relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë realizuar më 4 qershor 2026 një bastisje në një lokacion ku dyshohej se po zhvillohej veprimtari e paligjshme.
Gjatë kontrollit, policia arrestoi 11 persona të dyshuar, ndërsa në vendin e ngjarjes u sekuestruan prova materiale që lidhen me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.
Provat e konfiskuara do të përdoren si dëshmi në procedurën penale.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për procedurë të rregullt gjyqësore.
