Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiju, në prag të ndeshjes së nesërme kundër Prishtinës është shprehur optimist për paraqitjen e skuadrës së tij. Ai tha se pret një sfidë të fortë, por ka besim të madh te futbollistët dhe puna që është bërë deri tani.
“Ndeshje e fortë, por kam besim te skuadra jonë, te karakteri dhe masat që kemi marrë. Kërkojmë të jemi të qetë para portës dhe të shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi. Respekt për kundërshtarin, por pres që reagimi i futbollistëve nesër të jetë i madh për ta fituar këtë ndeshje,” tha Nuhiju.
Ai shtoi se presioni nuk e pengon, përkundrazi e motivon për të punuar më shumë. “Rezultatet do të vijnë shumë shpejt. Këtë vit e pres suksesin tonë. Komponimi i skuadrës po bëhet më shpejt dhe filozofia jonë tashmë është futur tek lojtarët. Do të jemi konkurrentë për gjëra të mëdha dhe synojmë që Gjilanin ta rikthejmë në Evropë, me një trofe, qoftë Kupa, qoftë titulli,” deklaroi Nuhiju.