Çdo vit më 1 shtator, nxënësit e Kosovës kthehen në bankat shkollore me shpresën se ky do të jetë një vit më i mirë, më ndryshe dhe më premtues për të ardhmen e tyre. Por, a do të jetë ky shtator ndryshe nga vitet e tjera, apo jemi duke rrëshqitur edhe më shumë drejt tatëpjetës?
Arsimi në Kosovë, prej vitesh, po shënon rënie në pothuajse të gjitha segmentet. Megjithëse infrastruktura shkollore ka pësuar disa përmirësime, substanca e arsimit, cilësia e mësimit dhe kuadrove, mbetet në krizë. Pritshmëritë për ndryshim gjithmonë kanë qenë të mëdha, por çdo qeveri që ka ardhur në pushtet ka vazhduar me të njëjtën politikë arsimore të dobët dhe joefikase.
Punësimet nepotiste, shpërfillja e kritereve profesionale, menaxhmenti i lodhur e joprofesional, kanë sjellë lodhje e demotivim të komunitetit të mësimdhënësve.
Mësuesit kanë humbur durimin dhe besimin tek qeveritë, prindërit nuk janë të përfshirë aq sa duhet në jetën e shkollave, shoqëria civile është pasive, ndërsa bota akademike pothuajse nuk merret fare me këtë çështje madhore të shtetit.
Degradimi më i madh vjen nga mungesa e fuqizimit të arsimit nga vetë shteti. Në vend të profesionistëve, në poste drejtuese vendosen individë të dëgjueshëm e lojalë.
Nuk mund të ketë përmirësim të arsimit përmes konkurseve të kurdisura, tenderëve, bordeve apo komisioneve të politizuara.
Një shtet serioz duhet të investojë fuqishëm në arsim: në përgatitjen e kuadrove profesionale, në infrastrukturë moderne, në teknologji të avancuar, në trajnime të vazhdueshme dhe mbi të gjitha në trajtimin me dinjitet të mësimdhënësve.
Cilësia nuk ngrihet me politika primitive e nepotiste, e as me udhëheqës mediokër e të paditur. Prandaj, 1 shtatori i sivjetshëm është më shumë një provë e madhe: a do të jetë fillim i mbarë për arsimin, apo një dëshmi tjetër se kriza po thellohet?