Në takimin e sotëm në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, është ngritur edhe çështja e fondeve të destinuara për mbështetjen e bujqësisë në Luginën e Preshevës, të cilat sipas përfaqësuesve lokalë janë bllokuar nga Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut, Pakicat dhe Dialogun Social.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka quajtur këtë vendim një qasje diskriminuese të institucioneve të Serbisë. Ajo ka theksuar se kur bëhet fjalë për komunitetin serb në Kosovë, Beogradi kërkon financime dhe subvencione, ndërsa për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, çdo mbështetje shpallet “e palejueshme” dhe pengohet nga barriera politike e represion institucional.
“Shqiptarët e Luginës kanë të drejtë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të përfitojnë nga çdo mbështetje legjitime që synon zhvillimin ekonomik e social të komunave tona,” tha Sinani, duke falënderuar Qeverinë e Kosovës për insistimin që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e agjendës së Brukselit.