Sinqeriteti, modestia dhe korrektësia janë tipare që vetëm sa e forcojnë karakterin e një trajneri.
Pikërisht kështu u paraqit tekniku i Dritës, Zekirija Ramadani, në konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Drenicës.
Ai hapur pranoi se ndërrimet e bëra në sfidën e fundit ndaj Prishtinës nuk kanë qenë të qëlluara.
“Kam gabuar me disa zëvendësime”, u shpreh ai, duke shtuar se analiza e lojës ka qenë e sinqertë dhe realiste.
Drita, që kishte përfunduar pjesën e parë me avantazh bindës 2:0, në të dytën pësoi dy gola dhe ndeshja u mbyll me barazim 2:2.
Tash, nesër ekipi zhvillon ndeshjen e parë si vendas në këtë edicion, që i përket javës së dytë të kampionatit.
Ramadani theksoi se është momenti i duhur për ta parë fytyrën e vërtetë të Dritës dhe për të nisur rrugëtimin e mbrojtjes së titullit.
“Kemi potencial, por titulli mund të mbrohet vetëm me mund, përkushtim, sakrificë, djersë dhe angazhim të plotë”, u shpreh trajneri i bardhekaltërve, duke lënë të kuptohet qartë se synimi është fitorja dhe tri pikët e para, para tifozëve të vet.