Pas katër javëve zhgënjyese, Drita ka arritur më në fund të gjejë fitoren e parë këtë sezon, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 2:1, në kuadër të javës së pestë të Superligës.
“Bardh e kaltrit” shënuan me anë të Veton Tushës në minutën e 28 dhe Albion Manajt në minutën e 62, ndërsa për mysafirët realizoi Patrik Eze në minutën e 82, duke i dhënë ndeshjes emocion deri në fund.
Kjo fitore rikthen shpresën se Drita do të këndellet dhe do të nisë ngjitjen drejt kreut të tabelës, aty ku edhe e ka vendin me ekipin e formuar.
Në fakt, me këtë përbërje, Drita pritet të jetë skuadër dominues në çdo ndeshje dhe jo të diskutohet fitorja.
Hero i ndeshjes ishte portieri Fatron Maloku, i cili me tri pritje vendimtare i mohoi gola të sigurt Prishtinës së Re dhe mbajti gjallë fitoren e shumëpritur të skuadrës së tij.