Tetori në mbarë botën është i veshur me ngjyrën rozë, ngjyrën e shpresës, forcës dhe guximit.
Është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një fushatë ndërkombëtare që ka për qëllim të zgjojë kujdesin, të shpërndajë informacionin dhe të edukojë për rëndësinë e zbulimit të hershëm.
Kanceri i gjirit është i shërueshëm nëse zbulohet me kohë. Prandaj, kontrolli i rregullt dhe vetëkontrolli janë arma më e fortë e çdo gruaje.
“Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) vazhdon të qëndrojë pranë të gjithë atyre që janë duke u mjekuar, me ata që e kanë tejkaluar këtë sëmundje dhe me konsideratën më të lartë për ata që fatkeqësisht nuk janë më në mesin tonë. Së bashku jemi më të fortë,” ka theksuar Dr. Arben Bislimi, onkolog nga Gjilani, një ndër specialistët më të njohur në Kosovë në këtë fushë.
Ai ka dhënë disa mesazhe të fuqishme për këtë sëmundje të pamëshirshme, të cilat përkojnë me Mesazhin e Tetorit Rozë: Kujdesu për shëndetin tënd, bëj kontrolle të rregullta dhe mos e neglizho asnjë shenjë.
Ky apel i Dr. Bislimit është një thirrje sensibilizuese që kujdesi i hershëm dhe vetëdijesimi mund të shpëtojnë jetë.