Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe organizatat partnere, ka nisur aktivitetet sensibilizuese me rastin e Muajit Rozë, që i kushtohet ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se ky muaj nis me ligjërata dhe aktivitete ndërgjegjësuese, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe edukimit për parandalimin e kësaj sëmundjeje. “Jemi bashkë me të gjitha gratë dhe familjet që po kalojnë nëpër këtë periudhë të vështirë”, u shpreh Hyseni.
Nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, theksoi se kujdesi për shëndetin e grave është përgjegjësi e përbashkët. Ajo rikujtoi se falë angazhimit të viteve të fundit, në Gjilan është siguruar mamografia falas, duke mundësuar kontrolle të hershme dhe parandalim të sëmundjeve. “Shëndeti i grave është shëndeti i shoqërisë sonë. Le ta kthejmë këtë muaj në një mesazh të fuqishëm se bashkë mund të bëjmë ndryshimin”, tha ajo.
Nga QKMF, Ramize Ahmeti Ibrahimi njoftoi se gjatë gjithë muajit do të ketë ligjërata, takime me komunitetin, shpërndarje materialesh informuese dhe marsh sensibilizues në qytet.